Qeveria demanton pretendimet e Rakiqit se forca speciale po përgatiten të hyjnë në veri

Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.

“Absolutisht e pavërtetë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Më herët, udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të informacioneve që ka, Kurti do të dërgojë të dielën mbrëma forca të armatosura, përfshirë njësinë speciale, në veri të Kosovës, “për të përndjekur popullin tonë”.

Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, disa banorë lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë qysh të shtunën pasdite, raporton Radio Evropa e Lirë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur se serbëve në Kosovë sonte u pret një natë e vështirë.

“Në terren kemi një luftë të ashpër për mbijetesën e një kombi në vatrat e tij, policia e Kosovës, e cila nuk ka të drejtë të jetë në veri, ka të bëjë me përpjekjen për t’i dhënë fund problemit serb në Kosovë, në të cilin Prishtina dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare merr pjesë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar se sot për shkak të situatës në veri të Kosovës ka qenë dita më e vështirë për të që kur ishte president i shtetit dhe që kur ishte kryeministër.

Më tutje Presidenti i Serbisë tha se Beogradi ka sigurinë e EULEX-it dhe KFOR-it se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve në barrikadat në veri të Kosovës.

“Ne kemi garanci nga KFOR-i, Evropa se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve, shpresojmë se do të shkojë kështu. Ne do të vazhdojmë të bisedojmë me ta, kjo është puna jonë, do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. ”, tha presidenti.

Presidenti i Serbisë u bëri thirrje serbëve nga Kosova që të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pasdites së sotme ka vizituar veriun e vendit.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Shqip.com.

“Sot pasdite, kryeministri Kurti ka qenë në Belvedere ku ka vizituar dhe takuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje”, ka thënë Kryeziu për Shqip.com.

Po ashtu,Kryeziu ka bërë të ditur se nga aty Kurti është nisur për në Gjilan ku ka marrë pjesë në prezantimin dhe raportimin e publikut për punën 1 vjeçare të Alban Hysenit.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.