Projeksioni i Kohës: VV-ja fiton tri nga katër komunat më të mëdha

Tri nga katër komunat kryesore të cilat të dielën e 14 nëntorit ishin në balotazh – i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, sipas projeksionit të gazetës Koha.

Ky projeksion e ka nxjerrë fituese partinë e Albin Kurtit në Prishtinë, Prizren e Gjilan.

Ndërkaq, humbje VV-ja, gjithnjë sipas këtij projeksioni, ka pësuar në Komunën e Gjakovës, ku fitoi edhe një mandate Ardian Gjini, duke mposhtur Mimoza Kusari-Lilën.

Në rundin e parë, VV-ja nuk ka fituar mbi 50 për qind në asnjë komunë të vendit.

Rezultati për Prishtinë sipas Kohës:

Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë kryetar i ri i kryeqytetit.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve, ai ka marrë 52.4 për qind të votave. Rivali i tij, Përparim Rama, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka marrë 47.6 për qind të votave.

Rezultati për Prizrenin:

Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë kryetar i Komunës së Prizrenit edhe për një mandat, sipas projeksionit të Kohës për balotazhin e së dielës. Haskuka ka fituar shumë ngushtë përballë Shaqir Totajt të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në balotazh, Haskuka ka marrë 51 për qind të votave, kundrejt 49 për qind që i ka marrë Totaj.

Rezultati për Gjilanin:

Lutfi Haziri nuk do të jetë më kryetar i Komunës së Gjilanit, sipas projeksionit të Kohës për balotazhin në këtë komunë, të mbajtur të dielën. Atë e ka rrëzuar nga pushteti Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky i fundit ka marrë 50.9 për qind të votave, ndërsa Haziri bie nga pushteti me 49.1 për qind të votave.

Rezultati për Gjakovën:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar edhe një mandat në Komunën e Gjakovës, sipas projeksionit të Kohës. Ardian Gjini do të jetë kryetar edhe për katër vjet pasi ka marrë shumicën në rundin e balotazhit ndaj rivales Mimoza Kusari-Lila së Lëvizjes Vetëvendosjes. Gjini ka fituar 55.2 për qind të votave, ndërsa Kusari-Lila 44.8 për qind të votave.