Presidentja Osmani: Strukturat ilegale po synojnë destabilizim

Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit.
Kështu ka deklaruar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes komunikatës së dërguar për media pasditën e së shtunës.
Sipas saj strukturat ilegale në veri përmes direktivave nga Beogradi, janë grupe që po e cenojnë demokracinë e vendit.
“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, ka thënë presidentja Osmani.
Tutje në komunikatën e lëshuar nga presidenca, theksohet se vendosja e rendit përbën rrezik vetëm për strukturat ilegale.
“Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje. I bëjmë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit”, thuhet në komunikatën e presidences.
Kurse sa i përket orientimit të Kosovës, Osmani shprehet se rruga euroatlantike është pozicionimi i palëkundur i shtetit tonë.
“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë”, theksohet në komunikatë.
Tutje presidentja Osmani thotë se Beogradi po tenton destabilizimin dhe po mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.