Presidenti ukrainas: Nuk pres shumë nga takimi i së hënës, por le të provojmë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në një deklaratë të shkurtër televizive se ai nuk pret shumë nga një takim midis delegacioneve ukrainase dhe ruse të hënën. 

“Do të them sinqerisht, si gjithmonë: nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të provojmë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë, si president, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelensky.

“Dhe ndërsa djemtë tanë janë atje, presidenti është këtu, shefi i shtabit është këtu, kryeministri është këtu, ushtria është këtu, komandanti i përgjithshëm është këtu. Të gjithë do të mbrojmë shtetin dhe kufijtë tanë”, shtoi ai, shkruan CNN.

Më herët të dielën, zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin, tha se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes sipas kohës lokale.