Përfundon biseda trepalëshe, vazhdojnë takimet ndaras me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.