Penguan procesin zgjedhor – tre persona të ndaluar

Zgjedhjet lokale në Kosovë

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë gjithë ditës të së dielës, sa i përket procesit zgjedhor, janë evidentuar katër raste me pesë persona, tre prej të cilëve janë në ndalim, ndërsa dy persona në procedurë të rregullt.

Kështu ka njoftuar kjo prokurori me anë të një komunikate për media, ku thuhet se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Prokuroria e Shtetit ka trajtuar çdo informacion dhe rast që është paraqitur tek organet e rendit, të cilat lidhen me procesin zgjedhor.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se gjatë gjithë ditës së sotshme lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, për Kryetar komune, nga rastet e trajtuara, ka evidentuar katër (4) raste me pesë (5) persona, prej tyre tre (3) persona janë në ndalim, ndërsa dy (2) persona në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka trajtuar dhe është duke trajtuar me kujdes çdo informacion dhe rast që është paraqitur tek organet e rendit që lidhen me procesin zgjedhor”, bëhet e ditur më tej në këtë kumtesë.

Ndërkaq, Policia njofton se gjatë realizimit të planit operativ për zgjedhjet lokale-balotazhi 2021, janë iniciuar pesë raste dhe ka trajtuar pesëdhjetë e katër raportime në nivel vendi.

“Bazuar në informacionet e siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të  Policisë së Kosovës, deri në mbylljen e qendrave të votimit janë trajtuar rastet sipas rajoneve; në Prishtinë (14) raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Mitrovicë Jugu (3) raportime dhe (1) rast i iniciuar, në Pejë (4) raportime dhe (2) raste të iniciuara, në Gjakovë (11) raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Prizren (13) raportime dhe asnjë rast i iniciuar, në Ferizaj (5) raportime dhe asnjë rast i iniciuar si dhe në Gjilan (4) raportime dhe (2) raste të iniciuara”, thuhet në komunikatën e policisë.