Pas situatës në veri, reagon Komuniteti Shqiptaro-Amerikan

Komuniteti shqiptaro-amerikan, të mërkurën bëri thirrje për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë.

Përmes një reagimi, komuniteti tha se aktet e dhunshme të serbëve që tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, “orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë”.

Tutje, komuniteti thanë se janë të shqetësuar se qëllimi i regjimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, “është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë”.

Tutje, thanë se SHBA-të duhet të kuptojnë peshën e rëndë të situatës së krijuar dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër “shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj”.

Ndërkaq, inkurajon institucionet e Kosovës, të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen me SHBA-të.