Pas reshjeve të shiut, ministri Aliu merr masa për pastrimin e rrugëve

Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur se ministria që ai drejton është duke e parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast, sipas tij, janë duke u marrë masa për pastrimin e të gjitha rrugëve.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë pas reshjeve të pa ndërprera të shiut dhe vërshimeve eventuale, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë dalur në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast janë duke u marrë masa për pastrimin e të gjitha rrugëve.
“Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MMPHI-ja, janë në terren për pastrimin e akseve, normalizimin e qarkullimit rrugor dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e automjeteve që nga orët e hershme të mëngjesit, ka thënë Aliu.

Tutje, sipas tij, “u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara që të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore për ndihmë të nevojshme”.
“Ministria është duke bërë Hartat e Rrezikshmërisë nga Përmbytjet dhe hartimin e Planeve për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Thatësirat, në mënyrë që në situata të tilla të jemi shumë më të përgatitur, dhe të përmirësojmë kapacitetet parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme”, ka shkruar në fund Aliu.