Osmani takon Fries, thekson nevojën e koordinimit me ndërkombëtarët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të EEAS, Charles Fries.
Sipas një komunikate, ata diskutuan për zhvillimet e fundit në veri, ku Osmani ka përsëritur dënimin për sulmet “e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve”.
“Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.
Gjithashtu, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik.