Osmani: Koha të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje me BE-në dhe SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE-në dhe ShBA-në do të tejkalohen.
Në një takim me korrespondentë politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se është koha të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”. Osmani vijoi se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat në fjalë, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të Quintit ndaj Kosovës.
“Zgjedhjet e reja duhet të bëhen pa ndërhyrje nga Serbia”
Për sa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve. “Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, vijoi Osmani.
Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo tha se Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku meKFOR dhe EULEX, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Por ajo theksoi se duhen vijuar përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve, shkruan DW.