Opozita lëshon sallën e Kuvendit, pozita vazhdon seancën

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar seancën e Kuvendit. Paraprakisht, deputetët e PDK-së zhbllokuan foltoren, me ç’rast deputetja Eliza Hoxha tha se meqë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u largua nga seanca, tashmë janë kushtet normale për tëvazhduar.

“Meqë Bislimi e lëshoi sallën dhe kërkesa jonë u plotësua mendoj që tani janë kushtet normale që me vazhdu senaca, jo me u votu e ma vazhdu seanca nën presionin e Policisë brenda sepse është shkelje e rregullores, kërkush kërkon nuk e dhunoi. E ftoj kryeministrin, nuk ka nevojë me e tërhekë fjalën, mundet me na sqaru për krejt se cka jemi brengosë ne dhe cka kemi ngritë në mëngjes që është raporti me Radojqiqin dhe instrumenti juaj, zonja Kusari”- deklaroi Hoxha.

Hoxha ka thënë se rezistenca e tyre ka qenë që sipas saj, Bislimi dhe të tjerët të kuptojnë se “nuk munden me ardhë këtu me ofendu dhe dhunu deputetë në çfarëdo mënyrë që mendojnë se mund ta bëjnë.“Nxitësi kryesor i dhunës sot, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më vjen mirë që e lëshoi sallën. Rezistenca jonë këtu ka qenë pikërisht që ai dhe të tjerët ta kuptojnë që nuk munden me ardhë këtu me ofendu dhe dhunu deputetë në çfarëdo mënyrë që mendojnë se mund ta bëjnë. Unë nuk jam pro dhunës, por duke qenë performuese në forma të ndryshme megjithatë i preferoj performancat edhe në një ambient si Kuvendi”- tha deputetja e PDK-së.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë se vlerësojnë se është e paarsyeshme të vazhdojnë me seancë dhe ka deklaruar se grupi i tij, nuk marrin pjesë.“Pika të të cilat janë në rend dite në këtë seancë janë delikate dhe të cilat gjenerohen në një situatë të pa lakmueshme në seancën e Kuvendit, vlerësojmë se është e paarsyeshme me vazhdu dhe si grup parlamentar nuk marrim pjesë në seancë”- tha Gashi.

Ndryshe, pozita i ka 61 vota edhe po vazhdon pa problem seancën për votimin e projektligjeve. Derisa ka shtyrë marrëveshjet ndërkombëtare, pasi i duhet edhe votat e opozitës.