OKB: Të paktën 1,480 civilë të vrarë dhe 2,195 të plagosur në Ukrainë

Të paktën 1,480 civilë janë vrarë dhe të paktën 2,195 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.

Nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes, Rosemary DiCarlo, tha se OHCHR beson se shifrat aktuale të viktimave civile janë “dukshëm më të larta”.

Ajo vuri në dukje se numri i civilëve ukrainas në konflikt është “më shumë se dyfishuar” që kur ajo informoi për herë të fundit Këshillin e Sigurimit më 17 mars, shkruan CNN.

“Qytetet ukrainase vazhdojnë të goditen pa mëshirë, shpesh pa dallim, nga artileri të rënda dhe bombardime ajrore. Dhe qindra mijëra njerëz, duke përfshirë fëmijë, të moshuar dhe të paaftë, mbeten të bllokuar në zona të rrethuara në kushte makthi”, tha DiCarlo të hënën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Tmerri u thellua fundjavën e kaluar pasi u shfaqën imazhe tronditëse të civilëve të vdekur, disa me duar të lidhura të shtrirë në rrugët e Bucha, qyteza afër Kievit, e mbajtur më parë nga forcat ruse. Shumë trupa u gjetën gjithashtu në një varr masiv në të njëjtin lokalitet.”

DiCarlo gjithashtu vuri në dukje se kujdesi mjekësor dhe shërbimet bazë po ndërpriten gjithashtu në Ukrainë, me të paktën 85 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor të regjistruara që nga 4 prilli, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këto sulme kanë rezultuar në të paktën 72 të vdekur dhe 43 të plagosur, tha DiCarlo.

“OKB-ja është gjithashtu seriozisht e shqetësuar për “arrestimet arbitrare dhe zhdukjet me forcë të personave që kanë qenë të zëshëm kundër pushtimit rus”, tha DiCarlo.

“OHCHR ka dokumentuar ndalimin arbitrar dhe zhdukjen e mundshme me forcë të 22 gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile” në Ukrainë, si dhe 24 zyrtarëve lokalë që janë arrestuar në rajonet nën kontrollin rus, 13 prej të cilëve janë liruar, tha DiCarlo.

Ajo shtoi se deri më 30 mars, OHCHR ka regjistruar edhe shtatë gazetarë dhe punonjës të medias të vrarë.