OKB: Dëmtohen katër shkolla të shndërruara në strehimore në Gazë
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha të enjten se katër prej shkollave të saj në Gazë, të cilat po përdoren si strehimore, janë dëmtuar në 24 orët e fundit.
Njëra nga shkollat e prekura ishte në kampin e refugjatëve Xhabalia “pas dy ditëve të bombardimeve të mëdha në këtë zonë”, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Shkollat e tjera të goditura ishin një në Shati dhe dy të tjera në Bureij, sipas saj.
“Në jug, dy shkolla të shndërruara në strehimore në kampin e refugjatëve Bureij u dëmtuan. Raportohet për dy të vrarë dhe 31 të plagosur”, tha ajo në një komunikatë për media, raporton REL.
Kampi i refugjatëve Xhabalia është më i madh në Rripin e Gazës, ku nga shpërthimi i fundit raportohet të jenë vrarë 20 njerëz dhe plagosur pesë të tjerë.
Sipas OKB-së, katër shkollat e dëmtuara janë strehë e gati 20.000 njerëzve.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se gati 50 prej ndërtesave të saj janë prekur nga lufta prej 7 tetorit, kur Hamasi kreu sulme befasuese në Izrael, duke i vrarë mbi 1.400 njerëz dhe duke i rrëmbyer më shumë se 240 të tjerë.
Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës prej atëherë, sepse synon ta “rrënojë Hamasin”, grupin militant palestinez.
OKB-ja thotë se, deri më sot, 72 punonjës të saj janë vrarë në Gazë, shpesh bashkë me familjet e veta.