OJQ-të në Maqedoni të Veriut iu shkruajnë letër zyrtarëve qeveritarë për Palestinën

Organizatat joqeveritare nga Maqedonia e Veriut ju kanë shkruajtur letër krerëve qeveritarë për çështjen e Palestinës. “Duke e ndjekur me kujdes gjendjen tragjike të popullatës civile të Gazës, jemi të tmerruar nga heshtja, votimi i përmbajtur për rezolutën humanitare të OKB-së dhe njëanshmëria e politikanëve, të cilët në asnjë moment nuk gjetën guxim për t’i korrigjuar qëndrimet e tyre dhe për të dalë në anën e atyre që bëjnë thirrje për paqe dhe qasje racionale. Me këtë reagim deri te kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deri te kryeministri i qeverisë, Dimitar Kovaçevski, si dhe deri te gjithë përbërja qeveritare, por edhe deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dëshirojmë t’i inkurajojmë për një hap të tillë, që t’i dëgjojnë thirrjet e qytetarëve, që i kanë vërshuar rrjetet sociale me solidaritet dhe thirrje për ndalimin e ndëshkimit kolektiv të Gazës dhe ndërprerjen e mosrespektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Numri i viktimave tashmë e ka kaluar gjenocidin në Sreberenicë, por edhe qindra të punësuar në organizatat ndërkombëtare humanitare, si dhe gazetarë, tashmë e kanë humbur jetën”, thuhet në letrën e dërguar.
Këto organizata kanë renditur pesë kërkesa që sipas tyre janë të drejtuara nga qytetarët.
- Ashtu siç e gjykuat sulmin e Hamasit ndaj caqeve civile, kërkojmë të bëni ndëshkim të rreptë edhe të masakrës ndaj civilëve që Izraeli ka bërë mbi Gaza, me çka çdo ditë po e thyen të drejtën ndërkombëtare humanitare.
- Apeloni për ndërprerje urgjente të bombardimit joselektiv dhe vrasjen e civilëve në Gaza, si dhe të miratoni deklaratë në Kuvend me të cilën do të bëni thirrje për ndalimin e luftimeve, për t’i dhënë shans paqes. Organizoni mbledhje të komisioneve dhe shfrytëzoni të gjithë mekanizmat institucionalë.
- Në emër të shtetit dhe të qytetarëve tanë, dërgoni ndihmë urgjente mjekësore në Gaza.
- Siguroni trajtim falas mjekësor dhe rehabilitim të fëmijëve të plagosur të Gazës në spitalet e Maqedonisë së Veriut, të cilët në këtë agresion kanë humbur pjesë të ekstremiteteve të tyre (sipas shembullit të kabinetit të presidentit të Sllovenisë).
- Të mos nënshtroheni ndaj presionit për persekutimin e të gjithë atyre që e ngrenë zërin kundër masakrës ndaj civilëve në Gaza, për çka sot jemi dëshmitarë e për të cilën apelojmë të ndalojë dhe të zëvendësohet me paqe pa kushte.