Notari rus përjashtohet nga garat për nëntë muaj, pasi përkrahi luftën në Ukrainë

Kampioni olimpik rus, Evgeny Rylov, është pezulluar për nëntë muaj nga organi drejtues botëror i notit, Fina, pasi mori pjesë në një tubim në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.

25-vjeçari ishte në mesin e një numri të atletëve të pranishëm në mbledhje, të organizuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në stadiumin Luzhniki të Moskës në mars, shkruan BBC.

Ata mbanin në veshje simbolin pro luftës të shkronjës ‘Z’.

Rylov fitoi medaljen e artë në 100 metra dhe 200 metra shpinë në Tokio verën e kaluar.

Fina tha se po e ndalonte atë “nga të gjitha garat dhe aktivitetet e organizuara ose të sanksionuara nga Fina” pas “pjesëmarrjes dhe sjelljes” së tij në ngjarje.

Pezullimi i tij hyri në fuqi nga 20 prilli.

Megjithatë, duke qenë se të gjithë notarët rusë dhe bjellorusë janë aktualisht të ndaluar të konkurrojnë në eventet Fina deri në fund të vitit, pezullimi i Rylov do të zgjasë efektivisht vetëm 20 ditë deri më 20 janar 2023./Shqip.com