Njësia e re e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së do të synojë oligarkët rusë, jahtet e tyre dhe asetet e tjera
Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkurën ka njoftuar se do të hapë njësi speciale për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të qeverisë ruse dhe oligarkëve, duke synuar jahtet, avionët, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të tyre.
Task-forca e re, e quajtur KleptoCapture, është pjesë e përpjekjes së Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë për të ndëshkuar Rusinë dhe Bjellorusinë për pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës, duke përdorur kufizime të eksportit dhe sanksione të tjera financiare, raporton CNN.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se grupi i ri i punës do të përfshijë prokurorë dhe agjentë federalë dhe ekspertë në pastrimin e parave, zbatimin e taksave dhe hetimet e sigurisë kombëtare nga FBI, IRS, Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së dhe Shërbimi i Inspektimit Postar i SHBA.
“Ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur në përpjekjet tona për të hetuar, arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, aktet kriminale të të cilëve i mundësojnë qeverisë ruse të vazhdojë këtë luftë të padrejtë. Më lejoni të jem i qartë: nëse shkel ligjet tona, ne do t’ju kërkojmë llogari”, tha Garland në një deklaratë.
Presidenti i SHBA Joe Biden, në fjalimin e tij për gjendjen e bashkimit të martën mbrëma, theksoi përpjekjen: “Për oligarkët rusë dhe liderët e korruptuar që kanë harxhuar miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm: Jo më shumë”.
“Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze dhe avionët e tyre privatë”, shtoi ai.