Një mijë civilë të bllokuar në një fabrikë çeliku në Mariupol
Udhëheqësi i ushtarëve të fundit ukrainas në portin e shkatërruar të Mariupolit u ka kërkuar liderëve botërorë që të organizojnë kalim të sigurt për civilët që strehohen në një fabrikë gjigande çeliku.
Zyrtarët lokalë thonë se një mijë njerëz – shumë prej tyre të afërm të luftëtarëve – janë strehuar në bunkerë dhe tunele në vend, raporton “BBC“.
Raportet nga porti jugor i rrethuar thonë se luftëtarët separatistë të mbështetur nga forcat ruse po përpiqen të sulmojnë kompleksin industrial.

Ushtria ruse thotë se kontrollon pothuajse të gjithë Mariupolin dhe gjatë fundjavës mbrojtësit e fundit të qytetit injoruan një afat rus për dorëzim.
Kapja e të gjithë qytetit do të ishte një çmim i madh strategjik për Rusinë, duke e lënë atë nën kontrollin e një pjese të madhe të Ukrainës jugore dhe lindore.
Aktualisht, në Ukrainë po zhvillohet dita e 55-të e luftës, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti. /Shqip.com