Në mesin e policëve që dhanë dorëheqje në veri ka edhe nga komuniteti boshnjak

Pjesëtarët serb të Policisë së Kosovës që punonin në kalimet administrative në Jarinje dhe Bërnjak kanë dhënë dorëheqjet e tyre.

Vetëm në Jarinje para orës 16:00 afër 70 zyrtarë policorë kanë zhveshur uniformat e tyre – Në mesin e tyre kishte edhe pjesëtarë nga komuniteti boshnjak.

Ndërsa, në kalimin administrativ në Bërnjak, në total ofruan dorëheqje 24 policë serb dhe tre boshnjakë.

Një nga anëtarët e shërbimit administrativ në kalimin e Bërnjakut, i cili dha dorëheqjen sot, Milosh Vallviç, tha për Kosova Online se, së bashku me kolegët e tij, ai ndjek pozitën e udhëheqjes politike së bashku me kolegët nga stacionet e policisë në veri.

“Duke ndjekur pozitën e udhëheqjes sonë politike, si dhe kolegët tanë nga katër stacione në veri, të gjithë policët me kombësi serbe dhanë dorëheqjen sot në kalimin e Bërnjakut,” tha Vallviç.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa pork jo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.