Ndërkombëtarët reagojnë ashpër pas sulmeve në Veri

Ndërkombëtarët kanë reaguar ashpër pas sulmeve në Veri të Kosovës. Ata i kanë dënuar këto sulme dhe kanë kërkuar që të kthehet normaliteti.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka reaguar për veprimet e dhunshme në Zveçan ndaj KFOR’it prej protestuesve serbë.

Ai ka përmendur po ashtu edhe sulmet ndaj gazetarëve.

Këto veprime ambasadori gjerman i cilësoi si të papranueshme.

“Çdo veprim i dhunshëm ndaj @NATO_KFOR dhe gazetarëve  është absolutisht e papranueshme dhe duhet të ndalet tani – nevoja e menjëhershme për të depërshkallëzuar. Faleminderit të gjitha forcave të KFOR-it në terren. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ai në Twitter.

Po ashtu, edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar për tensionet në Veriu e Kosovës.

Ai ka thënë se asgjë nuk i justifikon sulmet e dhunshme kundër KFOR’it.

”Asgjë nuk i justifikon sulmet e dhunshme kundër Kfor-it dhe shtypit. Këto akte duhet të ndalen. Mendime për viktimat, kushdo qofshin ata. Mbështetje e plotë për Kfor-in. Gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme de-përshkallëzimi”, ka shkruar ai në Twitter.

Gjithashtu, edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka dënuar veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, të hënën.

BE-ja ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

“BE-ja në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër NATO_KFOR trupat që ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar ai në Twitter.