NATO: Bjellorusia mund të sulmojë Ukrainën së shpejti

NATO

Bjellorusia, një aleat i ngushtë rus, mund të sulmojë së shpejti Ukrainën dhe po përgatitet të lejojë potencialisht Rusinë të pozicionojë armë bërthamore në tokën bjelloruse, sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës së NATO-s.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari tha se aleanca ishte e shqetësuar se trupat bjelloruse mund t’i bashkohen luftës në Ukrainë.

“Qeveria bjelloruse po përgatit mjedisin për të justifikuar një ofensivë bjelloruse kundër Ukrainës dhe vendosjen e afërt të armëve bërthamore ruse në Bjellorusi”, thotw zyrtari i NATO-s.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar publikisht se Bjellorusia mund t’i bashkohet luftës. Ndërsa Bjellorusia ka lejuar trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur operacione tokësore dhe ajrore, NATO nuk ka parë asnjë provë të fortë që trupat bjelloruse kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, tha zyrtari., raporton The Guardian.

“Nuk po ju them se nesër do të vendosin armë bërthamore. Ajo që dua të them është se ata kanë ndërmarrë hapa politikisht që tani të jenë në gjendje të marrin armë bërthamore nëse merret një vendim i tillë”, tha zyrtari.

Zyrtari vazhdoi duke e përshkruar konfliktin në Ukrainë si në prag të hyrjes në një ngërç, me forcat ukrainase që pengonin Rusinë të bënte përparim, por presidenti rus, Vladimir Putin, nuk tregoi gatishmëri për t’u tërhequr.

“Nëse nuk jemi në një ngërç, ne po i afrohemi me shpejtësi një të tillë. Realiteti është se asnjëra palë nuk ka epërsi ndaj tjetrës”.

Pavarësisht se nuk ka bërë përparim të rëndësishëm në dy javët e fundit, Putin duket se nuk dëshiron të pranojë dështimin, tha zyrtari.

Problemi me një ngërç është se do të çojë në një “luftë të gjatë dhe të zgjatur” që do të përfshijë një humbje “të rëndë” të jetës dhe dëme, tha zyrtari.

“Asnjëra palë këtu nuk mund të fitojë. Asnjëra palë nuk do të kapitullojë”, ka vazhduar ai.