“Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë”

Në vazhdën e aktiviteteve shtetërore për nder të 17 shkurtit, janë përkujtuar edhe 1133 fëmijët e vrarë gjatë luftës, me ç’rast krerët e shtetit së bashku me disa fëmijë kanë ndezur po edhe aq qirinj për t’i kujtuar këta fëmijë.

“Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë” ishte motoja e vendosur para Teatrit Kombëtar, raporton Ekonomia Online. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se secili nga këta 1113 qirinj është për të kujtuar nga një fëmijë të vrarë gjatë luftës.

Ai tha se “sakrifica e popullit është e madhe, plagët janë të thella, dhimbja është e pafund”.

“Pavarësisht dhimbjeve e humbjeve tona, jemi bashkë dhe ka shpresë për ne. I kemi 1133 qirinj sepse secili prej këtyre qirinjve kujton një fëmijë që është vrarë gjatë luftës Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët janë të thella, dhimbja është e pafund”, ka thënë ai.

Tutje, Kurti ka treguar se është duke u punuar për memorialin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës do të jetësohet. Ai po punohet nga grupi punues që udhëhiqet nga Saranda Bogujevci, e cila i ka mbijetuar masakrës së luftës”, ka treguar Kurti.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, tha se janë pikërisht fëmijët ata që e motivojnë dhe e çojnë Kosovën përpara.

“Na jepni kaq shumë motiv e inspirim për të ecur përpara sepse për ne nuk ka gëzim më të madh sesa kur ju shohim duke buzëqeshur”.

“Kujtimi për ta do të rrojë përherë në zemrat e gjithsecilit prej Kosovës. Ata familjarë e prind të atyre fëmijëve ju shohin juve sot dhe kuptojnë që gjaku i tyre nuk ka shkuar huq”.

“Jam e bindur që të gjithë që jeni këtu do ta shpieni Kosovën drejt sukseseve të reja”, u është drejtuar presidentja fëmijëve.Njëjtë u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se kur sheh fëmijët e Kosovës, e kupton se “s’ka kush që na ndal si popull”.

“Mu definicioni i fëmijëve më duket se mund të thuhet me dy fjalë, pafajësi dhe ardhmëri”.

“Edhe pse si vend kemi kaluar shumë vështirësi, kur po ju shoh duke u rritur të lirë po e kuptoj se s’ka kush që na ndal si popull”.

“Duke i kujtuar ata që janë flijuar, e mbrojmë vendin”, përfundoi Konjufca.