Musliu: Siguria e Kosovës po sfidohet në veri

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar lidhur me bojkotimin që kanë bërë serbet ndaj institucioneve të Kosovës.
Përmes një postimi ë Facebook, Musliu ka thënë se siguria e Kosovë po sfidohet në veri.
“Siguria e Kosovës po sfidohet rend në Veri të Kosovës. Policet që zhveshën uniformat sot duhet të largohen përgjithmonë nga ky institucion. Uniforma e policit të shtetit nuk duhet keqpërdorur as si kompromis, as si mjet presioni politik dhe as si mjet prepotence e force”, shkroi Musliu.
Tutje, Musliu tha se Policia e Kosovës duhet të lirohet nga marionetat por edhe nga kaubojët.
Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe shefi i stafit të presidentes, Blerim Vela. Ai tha se Serbia po shtynë serbet t’i braktisin institucionet duke e krahasuar me nxitjet e Rusisë në Donbas gjatë vitit 2014.
Lista serbe ka bërë të ditur se sot kanë vendosur që të bojkotojnë të gjitha institucionet politike në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.
Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.
Ai tha se kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administratat në Kosovë.
Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.