Ministri i Jashtëm i Italisë: I kërkova ambasadorëve tanë në Beograd dhe Prishtinë për të arritur një kompromis të drejtë

Pas situatës së fundit në veri të vendit, ka ardhur edhe reagimi nga Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Ai përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se i ka kërkuar ambasadorëve të Italisë në Prishtinë e Beogradë për të arritur një kompromisë të drejtë.
“Tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës janë shqetësuese. I kërkova ambasadorëve tanë në Beograd dhe Prishtinë që të bëjnë thirrje për moderim dhe dialog për të arritur një kompromis të drejtë. Italia është e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Tajani.
Gjatë ditës së sotme në pjesën veriore të vendit pritet të mbahet një protestë.
Kjo protestë vjen vetëm një ditë pasi që Lista Serbe njoftoi për largimin nga institucionet e Kosovës.
Protesta nis në ora 12:00 dhe pritet të mbahet para përmendores së “Car Llazrit”.
Kujtojmë po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.
Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme