Ministri i Jashtëm francez: Po zhvendos ambasadën nga Kievi në Lviv

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian

Franca po zhvendos ambasadën e saj nga Kievi në Lviv, njoftoi të hënën ministri i Jashtëm i vendit, Jean-Yves Le Drian.

“Ne kemi vendosur me kërkesë të Presidentit të Republikës të transferojmë ambasadën tonë, e cila deri më tani ka qenë në Kiev dhe për shkak të rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj kryeqytetit ukrainas, ambasada transferohet në Lviv në drejtim të perëndimit. ambasadori mbetet në Ukrainë për të mbështetur shtetasit tanë dhe gjithashtu autoritetet ukrainase”, tha Le Drian për degën e CNN, BFMTV. 

“Kërcënimet ishin mjaft të rëndësishme për t’u zhvendosur,” shtoi ministri i jashtëm francez.

Pasi presidenti rus Vladimir Putin vuri në gatishmëri forcat e parandalimit, përfshirë forcat bërthamore ruse, Le Drian tha: “Është një kërcënim i padobishëm, joproporcional”.

“Është një kërcënim që ai e kishte bërë tashmë më 24 shkurt kur shpalli operacionet e para. Është një kërcënim që ai sapo e ka rinovuar,” tha ai. 

“Është një kërcënim përshkallëzimi që nuk ka kuptim dhe që bie ndesh me angazhimet e marra shumë publikisht nga Rusia për të matur rreziqet kryesore strategjike në fillim të vitit 2022”.