Ministri i Jashtëm çek: Largoni barrikadat

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky u ka bërë thirrje serbëve të veri të vendit që ti largojnë barrikadat.

Përmes një postimi në Twitter, Lipavsky ka shkruar se situata është alarmante.

“Të alarmuar nga përkeqësimi i fundit i situatës në veri të Kosovës me anëtarë të EULEX-it të sulmuar. U bëj thirrje protestuesve serb të Kosovës që të përmbahen nga dhuna dhe të çmontojnë barrikadat. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të tregojnë përmbajtje”, ka shkruar Ministri Çek.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.