Memli Krasniqi: Rreziku i përshkallëzimit evident, qeveria të garantoj ruajtjen e rendit publik

Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së

Zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.

Kështu ka shkruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një reagimi në Facebook.

Sipas tij qeveria e ka obligim që të tregojë se çka është duke ndodhur dhe se i kërkon Kurtit që të ndërmarr veprime për ruajtjen e rendit publik.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje.

Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje i pari i PDK-së thekson se situata është duke ndryshuar nga momenti në moment dhe se rreziku i përshkallëzimit është evident.