“Mariupol po përballet me një situatë kritike – ndërsa forcat ruse rrethojnë qytetin”

Qyteti kyç i Mariupolit në juglindje të Ukrainës është “i rrethuar” nga forcat ruse, tha nënkryetari i qytetit për CNN të enjten.

“Ushtria jonë ukrainase dhe Garda Kombëtare janë shumë të guximshme, ata qëndrojnë dhe luftojnë për Ukrainën, për Mariupolin. Por situata është mjaft kritike,” tha nënkryetari i bashkisë Sergei Orlov për John Berman të CNN, duke i bërë thirrje Perëndimit të ofrojë mbështetje të mëtejshme ushtarake.

“Ne kërkojmë ndihmë, ndihmë ushtarake dhe presim ndihmë ushtarake. Forcat tona të brendshme janë shumë të guximshme, por ne jemi të rrethuar nga ushtria ruse, e cila ka më shumë njerëz në ushtrinë e tyre” shtoi ai.

Duke folur gjatë një interviste për CNN , Orlov tha se Mariupol ishte përballur 26 orë me granatime të vazhdueshme, duke paralajmëruar se qyteti tani po përballet me një krizë humanitare.

“Ata po shkatërrojnë qytetin tonë me të gjitha armët, nga artileria, nga bombardimet e avionëve, nga raketat taktike, nga sistemet e shumta të raketave lëshuese,” potencoi Orlov.

Nuk kemi energji elektrike në të gjithë qytetin, nuk kemi ujë, nuk kemi sisteme sanitare, nuk kemi ngrohje”, shtoi ai.

Nënkryetari i bashkisë tha gjithashtu se bombardimet ruse kishin shënjestruar ndërtesa të shumta civile, duke përfshirë shtëpi, kopshte dhe shkolla, por shtoi se numri i viktimave civile në qytet mbetet i paqartë. 

“Ne nuk e dimë se sa, sepse nuk mund t’i mbledhim të gjitha trupat dhe nuk mund të numërojmë,” tha Orlov. 

Në një konferencë video të enjten, gjeneralmajori rus Igor Konashenkov tha se ushtria ruse kishte bërë përparime rreth Mariupolit, duke përsëritur pretendimet se nuk po synonte zonat civile në Ukrainë.

Rusia vazhdimisht mohon të ketë shkaktuar viktima civile në Ukrainë, megjithatë mediat ndërkombëtare dhe vëzhguesit kanë dokumentuar gjerësisht viktima civile dhe dëmtime në infrastrukturën civile.