Lushtaku tregon versionin e tij për një rrahje afër një qendre të votimit në Kllodernicë të Skenderajt

Deputeti i PDK-së. Mergim Lushtaku.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka treguar për një incident “që ka ndodhur në fshatin Kllodernicë”.

Shqip.com ka tentuar ta kontaktojë zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Mitovicës, Avni Zahiti. Por, ai s’ka pasur qasje.

Sipas versionit të Lushtakut, “disa persona kanë sulmuar një qytetar në Kllodernicë”, qëllimi i tyre sipas deputetit të PDK-së “ishte presioni për ta votuar Bekim Jasharin për kryetar dhe listën e Vetëvendosjes në asamble”.

“Kjo sjellje” sipas Lushtakut është pasi “Bekim Jashari është në panikë”, siç thotë ai “për shkak të humbjes që po e përjeton”.

“Pasi që unë dëgjova për rastin e sulmit ndaj një qytetari në Kllodernicë, menjëherë e lajmërova policinë”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Por, ai theksoi se ka arritur në vendin e ngjarjes para policisë.

“Të njëjtit persona që kishin sulmuar qytetarin që nuk është bindur të votojë Vetëvendosjen për asamble dhe Bekimin për kryetar, erdhën dhe ngritën zërin para meje”, përshkruan Lushtaku.

“Unë ju tregova se askush nuk mund të detyroj dikë për të votuar X kandidatin, sepse lufta është bërë që qytetarët të vendosin për të drejtën e tyre pa presion”, pretendon ai.

Pas arritjes së Policisë, thotë se “gjendja është shqetësuar”.

Në Skenderaj rivaliteti është ndërmjet Bekim Jasharit, kryetari aktual – dhe Fadil Nurës, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës.