Luftime të ashpra mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamas jashtë spitalit Al Shifa

Të shtunën trupat izraelite dhe militantët e Hamasit, u përfshinë në luftime jashtë spitalit më të madh të Gazës, Al Shifa. Ditët e fundit, luftimet pranë këtij spitali dhe të tjera objekteve shëndetësore janë intensifikuar ndërsa ato përballen me mungesë të energjisë elektrike e furnizime të nevojshme.
Ushtria izraelite thotë se Hamasi ka fshehur armë në tunelet nën spitale dhe ka ngritur një qendër komandimi nën Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, çka përligj sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet ndaj tyre.
Megjithatë Forcat e Mbrojtjes izraelite hodhën poshtë pretendimet se kishin goditur spitalin Al-Shifa të premten, duke akuzuar për këtë Hamasin. Sipas zyrtarëve izraelitë, militantët kishin lëshuar një raketë që kishte patur si objektiv trupat izraelite, por në fakt ajo kishte goditur sipas tyre, spitalin.
Personeli mjekësor në Al-Shifa akuzoi Izraelin se po godet civilët me sulme pa dallim.