Lista serbe vendos t’i bojkotojë institucionet e Kosovës

Lista serbe ka bërë të ditur se sot kanë vendosur që të bojkotojnë të gjitha institucionet politike në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.
Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.
Ai tha se kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administratat në Kosovë, raporton Kosovo Online.
Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë sebe.
Ai shtoi se në takim është konstatuar se “Prishtina vazhdimisht po shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe se populli serb në Kosovëështë i ekspozuar ndaj terrorit të vazhdueshëm dhe akteve të njëanshme të paligjshme”.
“Duke filluar nga shkeljet e lirisë së lëvizjes, bastisjet nga ROSU, ndërtimi i bazave policore, ndjekjet për fjalime politike, ndalimi i të drejtës së votës dhe përpjekjet për të provokuar një fatkeqësi humanitare duke ndaluar vaksinimet, duke përdhosur varret”, tha Rakiq.
Serbët këtë vendim e kanë marrë si shenj revolte ndaj vendimit të kryeministrit Kurti për targat dhe për vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.