Lista Serbe takohet me Lajçakun dhe Escobarin

Përfaqësuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, mesditën e së martës janë takuar me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Të dy emisarët kanë zhvilluar takim edhe me krerët e opozitës e presidenten e vendit Vjosa Osmanin.

Kujtojmë se të hënën mbrëma, të dy diplomatët janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast kanë bërë thirrje për qetësim të situatës në veri.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka ripërsëritur tri kërkesat që ia ka bërë mbrëmë kryeministrit Albin Kurti.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri dhe bëjmë thirrje për deeskalim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog për normalizim”.

Pas Kosovës, dy emisarët do të shkojnë në Serbi.