Limaj: Zgjedhjet janë baza themelore e demokracisë dhe shtetndërtimit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin për të votuar për zgjedhjet lokale.

Sipas tij, Kosova është shembull i demokracisë në rajon, ndaj ka thënë se zgjedhjet janë mundësi e mirë për qytetarët që të zgjedhin ata që besojnë se i përfaqëson më së miri.

“Ne po shkojmë drejt zgjedhjes së legjislaturave lokale për katër vitet e ardhshme. Besoj që qytetarët kanë rast të mirë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarin më të mirë që ata besojnë, njeriun i cili do të dijë dhe mund ta drejtojë dhe përfaqësojë vullnetin dhe dëshirat e qytetarëve në komuna”, ka deklaruar Limaj për media, pasi ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar.

Ndër të tjera, ka thënë se zgjedhjet lokale janë baza themelore e demokracisë dhe shtetndërtimit.

“Po them edhe njëherë pavarësisht që kemi zgjedhje të shpeshta kjo ndihmon në konsolidimin demokratik të shtetit”.

“Ndaj ftoj qytetarët që të mos hezitojnë dhe të dalin të zgjedhin përfaqësuesit komunal dhe drejtuesin e tyre për katër vjet”.

Në fund, ka shtuar se “kryetari i një komune do të jetë shembullor vetëm nëse qytetarët shohin tek ai diçka të vetes së tyre”.