Lame: Dikush dëshiron ta kthejë Serbinë në viktimë e shqiptarët në kriminelë

Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, po merr pjesë në protestën e shqiptarëve në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai tha se nuk janë të gatshëm të pranojnë padrejtësinë vetëm se dikush dëshiron ta kthejë Serbinë në viktimë e shqiptarët që luftuan për çlirim, në kriminelë.
Lame tha se populli shqiptar sot po lufton për të fituar të drejtën dhe dinjitetin politik dhe juridik në sytë e botës.
“Sot dua të thërras, që të dëgjohemi në të gjitha kontinentet. Nuk mund të durojmë më padrejtësinë vetëm pse të fuqishmin duan të rregullojnë interesat e tyre mbi të drejtat tona. Nuk jam i gatshëm të pranoj padrejtësinë vetëm pse Serbinë dikush ka dëshira ta kthejë në viktimë e shqiptarët që luftuan për t’u çliruar e shpëtuar prej saj, të kthehen në kriminelë”, tha ai.
“A vërtetë mendon Evropa që progresi dhe zhvillimi arrihen duke dëmtuar çlirimtarët? Unë vij këtu si një ushtar nga fusha e betejës sepse konsideroj që sot kombi shqiptar pikërisht këtu e ka vijën e frontit për të fituar të drejtën dhe dinjitetin politik dhe juridik në sytë e botës”, u shpreh tutje Lame.