Lajçak: Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut, përgatitjet dhanë rezultat

Pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovë dhe Serbisë, ka ardhur reagimi nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social në Facebook, është shprehur se kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut mes dy vendeve.

“Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut. Filloi me një udhëtim në Beograd, ku vazhdova përgatitjet për takimin për dialogun e nivelit të lartë me presidentin Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit tonë, diskutuam për aneksin e zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen. Derisa isha në Beograd, pata gjithashtu mundësinë të takohesha me partitë opozitare pro-Bashkimit Evropian për të diskutuar lidhur me dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për takimin dhe rrugën përpara. Më erdhi mirë kur pashë se shumica e tyre ishin në mbështetje të Marrëveshjes dhe rëndësisë së saj”- u shpreh Lajçak.

Lajçak theksoi se të dy liderët u angazhuan plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes.

“Pas 12 orësh negociatash intensive, të dy u angazhuan plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Ishte mirë të shihje se javët e përgatitjeve dhanë rezultat”.

Takimi në Ohër dha gjithashtu një mundësi të shkëlqyer për t’u takuar me partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut, të cilëve u jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mikpritjen dhe mbështetjen e tyre, shtoi më tutje Lajçak.