Kuvendi miraton planin e veprimit për ERA 2

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së hënës kanë miratuar planin e veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës – Agjenda për Reforma Evropiane.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se qëllimi i ERA 2 është që t’i jepet vëmendje më e lartë politike realizimit të reformave kyçe ekonomike për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e qeverisjes së mirë.

“Plani i veprimit ERA 2 është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta në nivelin më të lartë politik për të intensifikuar zbatimin e reformave kyçe me qëllim përmbushjen e detyrimeve nga MSA-ja. Negociatat me BE-në për prioritete janë përmbyllur pasi kemi marrë detyrën, ndërsa pas kësaj është përgatitur plani i veprimit”.

Këtë plan e kanë përkrahur edhe partitë opozitare.