Kuvendi i Kosovës me dy seanca sot

Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbledhen sot në dy seanca plenare, njëra prej të cilave do të jetë vazhdim i seancës së kaluar, njofton Shqip.com.

Në rendin e ditës së vazhdimit të seancës së plenare nga ora 10:00 do të jetë votimi i raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020.

Ndërkaq, seanca e re e Kuvendit do të fillojë nga ora 10:15 dhe në rendin e ditës janë 12 pika.  

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI”, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, do të jetë pika e katërt e rendit të ditës.

Ndërsa pika e pestë do të ketë për shqyrtim Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Pikë e gjashtë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pika e shtatë ka të bëjë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për punimet nga metalet e çmuara, ndërsa në pikën e tetë do të shqyrtohet Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025.

Pikat nëntë dhe dhjetë parashikojnë shqyrtimin e Planit të Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane, si dhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe raportin me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, si dhe formimin e komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të ankesave të mediave. /Shqip.com