Kusari-Lila i reagon Ramës: Në kohë vere akulli mund të shkrihet

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila i ka propozuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ta mbyllë “Ballkanin e Hapur”, pas tensioneve në rritje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Reagimi i Kusari-Lilës vjen pas një qëndrimi të sotshëm të Ramës, i cili ka paralajmëruar Serbinë për ngrirje raportesh nëse nuk liron tre policët kosovarë.

“Kjo do të jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”, ka shkruar sot Rama.

Ndërkaq, Kusari-Lila ka thënë me ironi se “është kohë vere dhe akulli mund të shkrihet”.

“Më mirë mbylleni “Ballkanin e hapur” dhe do shihni si do të ngrihen fqinjët verior nga fryma e jugut.  Kidnapimi & mbajtja e policëve është arsyeja e kahmotshme pse kufinjtë e hapur me këtë  nuk bëjnë”, ka shkruar ajo.