Kurti takohet sot me Escobarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kjo është bërë e ditur nga njoftimi i kryeministrisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Takimi do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës duke filluar nga ora 16:30.

Ky takim erdhi në kohën kur Kosova po përballët me tensione të vazhdueshme në veri.

Vlen të theksohet se vizitë në Kosovë është paralajmëruar edhe për këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.