Kurti reagon sërish për tensionet në veri


Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka takuar ambasadorët e QUINT-it dhe ambasadorin BE-së, derisa ka thënë se ndjehet i shqetësuar me sulmet ndaj forcave të rendit.
“Ndaj shqetësimin për dhunën dhe dënoj sulmet kundër Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe Gazetarëve. Mbishkrimet ultra-nacionaliste serbe mbi automjetet e NATO-s, janë një kujtesë e errët në Kosovë. Ne mbrojmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar kryeministri.
Ndërkohë Qeveria ka njoftuar se në takimin me ambasadorët e QUINT-it, kryeministri Kurti ka deklaruar se grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë.
Duke i informuar për gjendjen në veri dhe zhvillimet e sotme atje, kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për de-eskalimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-it drejt këtij qëllimi.
Ata u dakorduan që të mbajnë komunikim të dendur orëve dhe ditëve në vijim.