Kurti raporton në Kuvend për kidnapimin e policëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë sot në Kuvend për kidnapimin e tre policëve nga forcat serbe, të mërkurën.

Pas kërkesës së opozitës, Kurti pritet të raportojë sot në ora 17:30.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë seancës plenare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar rrëmbimin e tre policëve në veri nga Policia e Serbisë si akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.

Ai tha në seancën e Kuvendit se dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë në veri.

Krasniqi ka ftuar kryeministrin Kurti në një seancë të veçantë lidhur me rrëmbimin e policëve dhe gjendjen e sigurisë në vend.

“Andaj, i nderuar kryetar, unë ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të Kosovës të kontaktoni më kryeministrin Kurti, që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarrë për kthimin e policëve tanë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”, shtoi ai.