Kurti: Policia e mobilizuar me kapacitete të plota për ta hetuar krimin e rëndë në Gllogjan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit me armë zjarri në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vdekur tre persona, dy prej të cilëve nxënës dhe një shofer autobusi, njofton Shqip.com.

Kurti tha se Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi.

Kështu është shprehur ai në një postim në Facebook, ku më tej shprehi ngushëllime familjeve dhe miqve të viktimave të këtij sulmi.

“Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit. Sipas Policisë së Kosovës nga ky sulm kanë mbetur të vrarë tre qytetarë të vendit tonë, prej të cilëve dy nxënës”, ka shkruar Kurti.

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm. Të plagosurit i dëshirojmë shërim të shpejtë”.

“Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi”, shtoi më tej ai.

Dy nxënës dhe shoferi I një autobusi kanë mbetur të vrarë pas një sulmi me armë zjarri në Gllogjan të Deçanit, ndërsa një nxënës tjetër është I plagosur, por se tashmë është jashtë rrezikut për jetë. /Shqip.com