Kurti: Paligjshmëria nuk tolerohet, Serbia po dëshiron kthimin e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se paligjshmëria nuk do të tolerohet.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes më Këshillin e Sigurisë, Kurti tha se Serbia po dëshiron kthimin e luftës në Kosovë.

“Serbia dëshiron kthim të luftës në kohën kur ka kryer gjenocid e masakra në Kosovë, ne dëshirojmë të ardhme demokratike dhe evropiane. Qytetarët serb në Kosovë nuk duhet të pranojnë të kthehen në kohëra të shkuara. Serbet në veri janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të distancohen nga strukturat kriminale dhe nga regjimi i Vuçiqit i cili po i financon dhe po kërkon luftë”, tha Kurti.

Kurti i ftoi serbët e Kosovës që të udhëheqin vendin së bashku.

“Paligjshmëria nuk do të tolerohet, nuk do të durohet në asnjë pjesë në vendin tonë. I ftoj të gjithë serbët në Kosovë që të punojnë bashkë me neve, të jetojnë bashkë me neve, të kuvendojnë bashkë me neve dhe të udhëheqin bashkë me neve”.

Mohimi i Kosovës nga Serbia, sipas Kurtit përbën kërcënim për vendin dhe rajonin.

“Serbia nuk po e fsheh qe po kërkon rikthim në Kosovë dhe në esencë po kërkon ta vazhdojë luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoj në Komanovë në vitin 1999. Andaj edhe mohimi i Kosovës nga Serbia përben kërcënim të vazhdueshme jo vetëm të shtetit tonë por edhe ekzistencës sonë. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu në Bruksel. Ajo që na shpërfaqi si normalizim dhe integrim në veri ishte një kompromis me bandat ilegale në veri e të cilët në variantin e butë quhen struktura ilegale”.

Kurti tha se me institucionet e Kosovës erdhën në përfundim që duhet më shumë vigjilencë për sigurimin e paqes në veri.

“Bashkë me ministrin Sveçla dhe anëtarët e tjerë që janë pjesëtar të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë, diskutuam së bashku dhe erdhëm në përfundimet e mira për më shumë vigjilencë dhe gatishmëri të gjitha institucioneve të Kosovës me të gjitha detyrat e veçanta në mënyre që të mundësohet vendosja e paqes, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.

Tutje, Kurti falënderoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të gjithë zyrtarët që po kontribuojnë në fushën e sigurisë.