Kurti: Ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar Komunën e Skenderajt e Mitrovicës si zona të prekura nga vërshimet.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka treguar ato së çfarë kishte parë në këto zona, duke përmendur dëmtime në infrastrukturë, bagëti të ngordhura e shumë gjëra të tjera.

“Në Skenderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falënderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skenderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula”.

Por, ajo të cilën e theksoi Kurti është se ekziston rreziku për epidemi pas vërshimeve.

“Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura”.

Tutje, Kurti tha se pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit tha se Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.