Kurti: Barrikadat në veri nuk janë civile

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës nuk janë civile.

Përmes një interviste në ATV, Kurti tha se barrikadat atje janë me armatime.

Barrikadat në veri duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur. Ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada. Madje, me armatim, nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, kemi dhënë kohën e kërkuar prej KFOR-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri i punëve të Brendshme po pret. Barrikadat nuk mund të qëndrojnë aty se qytetarët serbë janë ata më të bllokuarit. Nëse nuk do të ishte për Kosovën edhe për shqiptarët, edhe për serbët duhet të hiqen ato. Unë jam kryeministër i të gjithëve”, tha Kurti.

Kurti tha se e ka intensifikuar kontaktin me serbët për të cilat nuk i ka bërë publike për shkak se vetë serbët kanë kërkuar – Ai tha se në barrikada janë qindra njerëz të grupeve kriminale të cilat janë kthyer në banda për ta destabilizuar Kosovën.

Ndërsa, lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kurti tha se janë të rëndësishme edhe marrëdhëniet ndër fqinjësore.

“Natyrisht për tu integruar në BE duhet të kesh marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore. Sa i përket Kosovës, marrëdhëniet e mira nuk do të mungojnë por po them se destruktiviteti i fqinjit tonë verior mund të shfaqet si problem për anëtarësimin e përbashkët në Bashkimin Evropian mirëpo, ne nuk mund t’i presim ata mbase nuk duan të integrohen”.

Krahas kësaj, Kurti foli edhe për veprimet e mëtejshme që do të ndërmerren pas dorëzimit të aplikimit të Kosovës për në BE.

“Ajo se çfarë pritet në vijim është që Këshilli Evropian të kërkoj për opinion nga Komisioni Evropian për aplikimin e Kosovës e pastaj për një fazë të nevojshme do ta kemi pyetësorin me mijëra pyetje për Kosovën e që na pret shumë punë në shtëpinë tonë që t’i bëjmë me shpejtësi të gjitha reformat e të përgjigjemi në atë pyetësor”.

Tutje, Kurti tha se beson që edhe qëndrimi i pesë vendeve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës do të fillojë të zbutet.