Kurti: Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.

Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.

“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.

“Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.