Kryetari i Skenderajt krijon fondin emergjent pas vërshimeve

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar se ka themeluar Fondin Emergjent, për të ndihmuar në përballimin e krizës pas dëmeve të shkaktuar nga  vërshimeve si pasojë e reshjeve të shiut.

Nura përmes një video mesazhi në Facebook u ka bërë thirrje që të ndihmohet kjo komunë duke thënë se buxheti komunal është i pamjaftueshëm.

“Kam themeluar Fondin Emergjent të rindërtimit pas vërshimeve përmes të cilit do të grumbullohen mjetet finaciare për këtë situatë të rëndë për Skenderajn”, ka thënë Nura.

Ai ka njoftuar se detaje si xhirollogaria e fondit do të publikohen të hënë.

Komuna e Skenderajt ishte një nga më të dëmtuarat pas vërshimeve që ndodhën të gjatë të enjtes. Shumë  shtëpi, biznese e kultura bujqësore, infrastrukturë rrugore është dëmtuar në këtë qytet.

Nënkryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, ka thënë se pas luftës kjo është situata me rëndë në këtë komunë.