Krasniqi: Organet e sigurisë ta zbardhin sa më parë sulmin makabër në Deçan

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gllogjan ku mbeten të vrarë tre persona në mesin e tyre edhe dy nxënës.

Krasniqi në Facebook ka shkruar se është i tronditur nga sulmi makabër që ka ndodhur në Deçan.

Ai ka bërë thirrje që organet ta zbardhin rastin dhe autorin ta sjellin para drejtësisë.

“I tronditur thellë me sulmin makabër në Deçan!Në këto orë të rënda për familjarët e viktimave, i bashkohemi dhimbjes së tyre, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë.  Organet përgjegjëse të sigurisë duhet sa më parë të zbardhin rastin dhe autorin e kësaj vepre të tmerrshme të sjellin para drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Deri më tani dihet se tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e plagëve të marra në këtë sulm të ndodhur gjatë pasdites të së premtes, dy prej tyre nxënës dhe shoferi i autobusit.