Krasniqi: Kurti pranoi gjithçka që u zotua se nuk do ta pranonte

Lideri i opozitës, Memli Krasniqi ka folur lidhur me marrëveshjen e djeshme të arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar gjithçka për të cilën premtoi se nuk do ta pranonte.

“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”, shkroi Krasniqi.

Krasniqi thotë se Kosova do ta trashëgoje për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetaret tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”.

Madje, Krasniqi marrëveshjen e arritur dje në Ohër të Maqedonisë së Veriut e quan dështim të madh politik.

“Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.