Krasniqi i dërgon letër Kurtit lidhur me situatën në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi I ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit lidhur me situatën në veri.
Në letrën dërguar Kurtit, thuhet se PDK është e gatshme për komunikim të hapur dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në territorin e Kosovës.
“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e PDK-së
Përmes kësaj letre, Krasniqi e ka cilësuar shqetësuese situatën në veri të Kosovës.
“Zhvillimet e fundit në komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës janë shqetësuese. Tërheqja nga detyra dhe përgjegjësitë institucionale e Kryetarëve të Komunave, asamblistëve komunal, zyrtarëve policor, punonjësve të sistemit të drejtësisë e të administratës publike, përbën një akt të paprecedent dhe krijon situatë mjaftë problematike për Republikën e Kosovës”.
Sipas Krasniqit, këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të Kosovës.