Konjufca thirrje organeve të rendit pas rastit në Deçan: Orët janë të gjata

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas rastit të sotëm ku mbetën të vdekur tre persona në një sulm me armë zjarri brenda një autobusi në fshatin Gllogjan të Deçanit, njofton Shqip.com.

Konjufca thotë se ky rast tragjik është me përmasa kriminale.

Derisa shprehi ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, Konjufca bëri thirrje për organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi.

“Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit.  Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

“Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale. I nxis organet e rendit që sa më parë të zbulojnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata”, shtoi më tej ai.

Deri më tani dihet se tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e plagëve të marra në këtë sulm të ndodhur gjatë pasdites të së premtes, dy prej tyre nxënës dhe shoferi i autobusit.